​Kurti: Besoni Vjosës dhe mua, atyre tjerëve iu ka humbur lëmshi

- in Lajme

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti dhe numri dy i listës së përbashkët, Vjosa Osmani kanë vazhduar sot ecjen dhe shpalosjen e programit të tyre qeverisës edhe para qytetarëve të Istogut. Qytetarë të shumtë në numër ishin tubuar për të pritur liderin e LVV-së, Albin Kurti.

Me pankarta në duar që shkruanin “127” dhe “Krejt dhe Drejt”, qytetarët brohorisnin “Albin ti ku je, krejt Istogun këtu e ke”.

Krahas flamurit kombëtar, qytetarët e Istogut në duar mbanin edhe flamurin dardan.

Para tyre pretendeti për postin e shefit të ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti premtoi mbështetje për bujqit dhe prodhuesit vendor.

Ai tha se duke votuar 127, votohet për një qeveri që punon me drejtësi dhe punësim të qytetarëve.

Kurti: Shteti do prodhoj treg për prodhimet e subvencionuara

Video

“Bujqit, blegtorër, fermerët do i ndihmojmë me çmime minimale, me çmime referente dysheme në mënyrë që mos të shfrytëzohet dhe të mos plaçkiten. Drithërat, pemët, perimet, qumështi do ta kenë çmimin dysheme dhe vetëm mbi atë çmim do mund të blihen mallrave e bujqve tanë prodhimet bujqësore të tyre. Shteti do prodhoj treg për prodhimet e subvencionuara dhe ato që nuk shiten do shndërrohen në rezerva shtetërore….. Ministria e Bujqësisë do ta ketë buxhetin 100 milionë euro, 65 përqind subvencione dhe 35 përqind grante të cilët do jepen sipas meritës, performancës, nevojës e asnjëherë sipas librezës së partisë apo mbiemrit”, tha Kurti.

Ai madje tha se program kanë paraparë edhe shtesa për fëmijë deri në dy vjeç nga 20 euro në muaj, ndërsa për ata deri në 16 vjeç do ndahen 10 euro.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti i ftoi qytetarët në Istog, që të votojnë për të dhe Osmanin, pasi siç u shpreh ai të tjerëve iu ka humbur lëmshi.

Kurti: Besoni Vjosës dhe mua, atyre tjerëve iu ka humbur lëmshi

Video

“Nënat e papuna në periudhën e lehonisë derisa foshnja t’i bëjë gjashtë muaj do ta kenë pagën minimale që do e ngrisim në 250 euro. Do të ndërtojmë 4 mijë banesa me kosto të përballueshme për çiftet e reja sipas skemës 120 herë 120, pra maksimalisht 120 muaj që do thotë 10 vite maksimalisht kësti 120 euro në muaj….është moment i referendumit në këtë 14 shkurt, ju do përcaktoheni për një të ardhme të ndritshme 4 vjeçare, ku Vjosa si presidente e unë si kryeministër do jemi të ndërgjegjshëm, të devotshëm, do iu shërbejmë juve dhe kurrë nuk do të ndahemi prej juve dhe besoni Vjosës dhe mua sepse ne nuk lëshojnë pe për juve, kurse atyre tjerëve siç e dini iu ka humbur edhe lëmshi”, tha Kurti.

Ndërsa, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani falënderoi të gjithë mbështetësit nga vendlindja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ajo tha se përmes listës së përbashkët në mes të iniciativës “Guxo” dhe Lëvizjes Vetëvendosje, do luftohet korrupsioni dhe dukuritë negative që siç tha ajo e kanë katandisur shtetin e Kosovës.

Osmani: Është e rëndësishme ta luftojmë armikun e brendshëm

Video

“Më 14 shkurt do të dalim në referendum gjithëpopullor sepse po aq e rëndësishme që ishte pavarësia dhe liria e Kosovës po aq e rëndësishme është që ta luftojmë armikun tonë të brendshëm korrupsionin dhe e dini se kush janë ata që e luftojnë dhe ju e dini se kush janë ata që e kanë për njëmend dhe ju e dini që kush janë ata që nuk dorëzohen para asnjë sfide. Ne i kemi bashkuar forcat lista jonë bashkë me Vetëvendosjen sepse kur rrezikohet shteti ynë kur rrezikohet perspektiva e rinisë sonë kur rrezikohet ta humbasim pasurinë tonë më të madhe kombëtare qe janë të rinjët tanë ku shqiptarët bëhen bashkë dhe luftojnë dukuritë negative të cilët e kanë katandisur vendin tonë deri në këtë nivel”, tha ajo.

Në këtë tubim u prezantuan edhe tre kandidatët për deputetë nga komuna e Istogut e të cilët janë: Mentor Arifaj, Valdet Januzaj dhe Agime Gashaj.

Kurti bashkë me Osmanin kanë bërë homazhe edhe tek busti i presidentit, Ibrahim Rugova në Istog ku vendosën edhe kurora lulesh, si dhe tek lapidari i dëshmorëve në këtë qytet.

Gjatë ditës tubime elektorale Kurti bashkë me Osmanin kanë mbajtur edhe në qytetin e Podujevës dhe Mitrovicës. /B.Ibishi/KosovaPress