​Kurteshi e Daka përplasen në KQZ: ‘Koka e krimit’ dhe seriali ‘Kasandra’

- in Lajme

Edhe një mbledhje tjetër e komisionit ka vazhduar me përplasje mes anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sami Kurteshi e ka akuzuar Valdete Dakën, duke thënë se ‘ajo është koka e krimit dhe nismëtare e vjedhjes industriale të votave’. Por, sipas kësaj të fundit, Sami Kurteshi e Alim Rama janë duke e maltretuar në çdo mbledhje të mbajtur, dhe se këto tashmë sipas saj janë kthyer në serialin “Kasandra”.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar që të publikohen listat e votuesve jashtë vendit e që u është refuzuar aplikimi për votim. Po ashtu, që KQZ të marrë vendimin që postën ta pranojë deri më 13 shkurt.

Koordinatori në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, ka bërë të ditur se nuk ka ndonjë procedurë për ato të cilat refuzohen. Tutje, ka thënë se janë mbi 14 mijë zarfe, të cilat janë pranuar deri më tani.

Ahmetaj: 14.987 zarfe me fletëvotime jashtë vendit janë të ardhura deri më tani
(Video)

“14 mijë e 987 zarfe me fletëvotime jashtë vendit kanë arritur deri më tani në objektin e KQZ-së… Jemi konsultuar edhe me shërbimin e votuesve dhe lista e votuesve të cilët nuk janë të pranuar, praktikisht që i bie të refuzuarit sipas procedurave asnjëherë nuk janë publikuar. Kjo ka qenë ajo zbrazëtira, e cila ka mund të shkaktojë konfuzion edhe te votuesit, të cilët nuk kanë gjetur veten në listën e votuesve jashtë vendit”, tha ai.

Anëtari i komisionit nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka kërkuar që të publikohet lista e votuesve jashtë vendit e që u është refuzuar aplikimi për votim.

Kurteshi: KQZ të pranojë dërgesat me postë deri më 13 shkurt

(Video)

“Kërkesa ime edhe një herë është që KQZ të marrë vendimin që postën ta pranojë deri më 13 shkurt, sepse ajo nuk e dëmton në asnjë mënyrë votën që hidhet me 14 shkurt në Kosovë, sepse ka ardhur para asaj kohe”, ka thënë Kurteshi.

Për këtë ka reaguar edhe anëtari tjetër i LVV-së, Alim Rama i cili tha se qasja e KQZ-së është jo transparente.

Rama: E shoh si tendencë të KQZ-së për zvogëlim të transparencës

(Video)

“Krijimi i një procedure të thjeshtë, e cila publikon 30 mijë përafërsisht, unë nuk po shoh problem, dhe po shoh si tendencë të vazhdueshme që KQZ-ja të zvogëlojë transparencën, të cilën e ka të obligueshme në bazë të ligjit… Ne e kemi një ligj dhe këtu po e shoh kokëfortësinë nga anëtarët e KQZ-së për thyerjen e ligjit me vota. Nuk kemi të drejtë si anëtarë të KQZ-së të thyejmë ligjin me vota. Ligji thotë se një ditë para zgjedhjeve ne mund të debatojmë për kohën a është 15, 17, 19, por është një ditë para zgjedhjeve”, tha Rama.

Për më tepër ai tha se një prej komisionerëve ka thënë se “do të rrihemi, dhe do të bëhemi copa dhe nuk do të lejojmë numërimin e as qitjen e votave për Albin Kurtin”. Ai ka kërkuar nga sekretariati që të zëvendësohet ky person.

Megjithatë, reagimet e anëtarëve të LVV-së, kryesuesja e KQZ-së Valdete Daka i ka konsideruar si tentime për kontroll ndaj këtij institucioni, për çka ka reaguar Sami Kurteshi, i cili tha se KQZ është monopolizuar nga Daka.

Kurteshi: Zonja kryesuese e keni monopolizuar këtë institucion
(Video)

“Ky institucion nuk është makinë votimi. Ne po ngremë çështje që kanë të bëjnë me KQZ-në. Nëse tregoni vetëm një rast të vetëm të përpjekjes për kontroll na tregoni. Unë konsideroj se ju zonja kryesuese e keni monopolizuar këtë institucion. Edhe fakti që ne ngremë çështje që nuk përkasin me monopolin që e keni krijuar ju e quani ligjëratë bashkë me bashkë-partiakët e tjerë”, tha Kurteshi.

Për më tepër, Daka tha se mbledhjet e KQZ-së janë kthyer në serialin “Kasandra”.

Daka: Mbledhjet janë kthyer në serial “Kasandra”

(Video)

“Jemi mësuar që gjithçka që ka të bëjë në Kosovë, Valdete Daka është aty. Dhe është fajtori kujdestar për të gjithë çfarë ndodhin në Kosovë, faleminderit. Edhe për atë çfarë ndodh në KQZ, fajtor është prapë Valdete Daka. Faleminderit që më keni bërë kaq të fuqishme. Sipas juve, unë jam personi që e kontrolloj krejt, faleminderit, shumë jam e lumtur që jam kaq e fuqishme. Çdo mbledhje e kthyer në teatër për media, se jemi shndërruar në serial “Kasandra”. Tash nuk e di cili episod është sot. E gjithë fushata juaj kundër meje është personale. Juve po ju pengon Valdete Daka”, ka deklaruar Daka.

Mbledhja ka vazhduar me përplasje të tilla, ndërkohë që anëtarët e LVV-së në KQZ e kanë quajtur këtë institucion si makinë votimi dhe kryesuesen, shkelëse të ligjit. Anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi tha se Daka nuk është person i dinjitetshëm dhe se ajo është pjesë e klanit që ka udhëhequr me Kosovën për 20 vjet.

Kurteshi: Daka është nismëtare e vjedhjes industriale të votave
(Video)

“Valdete Daka është kreu i këtij krimi që 11 vjet është në këtë institucion. Valdete Daka është nismëtare e të ashtuquajturës vjedhje industriale e votave. Dhe do të përfundojë me vjedhje industriale të votave. Këtë nuk e lejojmë. Me çdo kusht këqyrin ta shkelin votën e qytetarëve… Kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit që të mos flejë dhe të mos bëhet lepurush, nga Policia e Shtetit me qenë besnike, transparente dhe të veproj në bazë të ligjit. Mos të bëhet pjesë e krimit”, ka shtuar Kurteshi.

Kurteshi ka shtuar se vota e qytetarit është e drejta relative më e rëndësishme politike në botë. Tutje, në këtë mbledhje të komisionit janë aprovuar kërkesat edhe për 2671 vëzhgues të ri, të cilët do të përcjellin zgjedhjet e 14 shkurtit. /Sh.Pajaziti/ KosovaPress