Të dielën 12 klube të mëdha evropiane u bashkuan dhe njoftuan se janë pajtuar për të krijuar një garë të re të quajtur Superliga e klubeve e cila do të ketë për kryetar presidentin e Real Madridit Florentino Perez ndërsa nënkryetar presidentin e Juventusit Andrea Agnellin.
Të 12 klubet e përfshira në këtë grup kanë dhënë dorëheqjen nga ECA (Shoqata Evropiane e Klubeve), duke marrë parasysh se Agnelli ishte president i saj.
“Dymbëdhjetë nga klubet kryesore të futbollit në Evropë janë bashkuar për të njoftuar se kanë rënë dakord të krijojnë një garë të re, Super Ligën, e udhëhequr nga Klubet e saj themeluese.”, thuhet në njoftimin e përbashkët të këtyre klubeve, përcjell KosovaPress.
“AC Milan, Arsenal FC, Atlético de Madrid, Chelsea FC, FC Barcelona, FC Internazionale Milano, Juventus FC, Liverpool FC, Manchester City, Manchester United, Real Madrid CF dhe Tottenham Hotspur janë bashkuar për ta themeluar këtë garë.”
“Parashikohet që tre klube të tjera do të bashkohen përpara sezonit përurues, i cili synon të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur.”, thuhet më tutje në njoftim.
Në këtë njoftim gjithashtu bëhet e ditur se do të fillojnë negociata me UEFA-në dhe FIFA-në për të bashkëpunuar në ecurinë e drejtë të kësaj gare.
Kjo garë pritet të fillojë në muajin gusht të vitit 2021./KP