Pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit në krye të shtetit, ka reaguar këshilltari i saj, Bekim Kupina, i cili e ka thënë se sot Kosova u bë me Presidenten më të denjë në historinë e saj.
Përmes një postimi në Facebook, Kupina ka thënë se Osmani është gardiane e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj kudo e kurdo.
Ky është postimi i tij i plotë:
Presidentja u kthye në zyrën e vet!
Sot Kosova u bë me Presidenten më të denjë në historinë e saj. Zonja Vjosa Osmani përveç mbi 300 mijë votave, të cilat i japin legjitimitet të pakontestuar të përfaqësimit të secilit prej nesh, është gardiane e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj kudo e kurdo.
Ajo nuk është vetëm presidente e vendit, është ëndrra e realizuar, është modeli frymëzues për gra e vajza jo vetëm në Kosovë, është imazhi që na bënë nder neve dhe shtetit të Kosovës.
Ajo është personifikim i triumfit të parimeve ndaj favoreve, të zotësisë mbi servilitetin, të integritetit kundrejt injorancës, të aftësisë përtej kuotës… Ajo është inspirim për vajza e gra se si arrihet maja me angazhim serioz, profesionalizëm e këmbëgultësi.
Me Vjosën, Kosova hapë një fazë të re në historinë e saj. Një nënë, një grua, një Presidente, një Komandante e Përgjithshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Prej sot, Kosova nuk u bë vetëm me Presidenten e saj, por me imazhin e saj.
Presidente Vjosa R. Osmani, urime në misionin tënd fisnik! Shkëlqefsh si gjithnjë përgjatë këtij rrugëtimi!
Kosova faqebardhë me Vjosën!/KP