Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka kthyer sot për korrigjim dokumentacionet e listave shumë-emërore të katër prej partive që janë regjistruar në këto zgjedhje.
Pas shqyrtimit të projekt-vendimeve dhe dokumentacioneve, Komisioneri i KQZ, Ilirjan Celibashi vendosi kthimin për korrigjim të dokumentacionit të listave të partive: Lëvizja e Re, Aleanca Demokracia e Re, Lëvizja për Ndryshim dhe Lëvizja Demokratike Shqiptare.
Euronews Albania shkruan se “bëhet fjalë për mangësi burokratike” në lidhje me “kredencialet e kandidatëve, si CV-të apo dokumente shoqëruese” dhe se partitë kanë 48 orë kohë për të plotësuar mangësitë.
Në mbledhjen e ardhshme të KQZ-së pritet të diskutohet përfundimisht interpretimi për të ashtuquajturat lista rezervë. Edhe pse Kuvendi përbehet nga 140 deputetë, në listën e kandidatëve për deputetë, më parë lejohej të kandidoheshin deri në 177 emra për 12 qarqe, mirëpo në një interpretim të fundit kjo është reduktuar në 153.
“Në Kodin Zgjedhor thuhet se përtej çdo numri të mandateve për çdo qark shtohen dy kandidatë rezervë por që [numri i përgjithshëm] duhet të jetë i pjestueshëm me tre,” – shtoi gazetari Hoxha duke theksuar se kjo pjesë mbetet “pikë nevralgjike”.
Komisionari Shtetëror i Zgjedhjeve , Ilirijan Celibashi ka paralajmëruar një vendim, i cili shkon më së shumti për Partinë Demokratike, në listën e kandidatëve për deputetë të së cilës rreshtohen 213 emra./KosovaPress