Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka pritur sot në takim kryetarin e Athinës, Kostas Bakoyannis, ku pas takimit në një konferencë të përbashkët për media tha se Greqia e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.
I pari i Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se gjatë vizitës së Bakoyannis në Prishtinë do të diskutojnë edhe për reformat në të dyja qytetet dhe se do të shohin për mundësinë e bashkëpunimit mes dy qyteteve.
Ahmeti tha se Greqia po edhe Bakoyannis kanë konfirmuar se mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ahmeti: Shteti grek dhe Bakoyannis e mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Prej që është bërë kryetar ka shprehur dëshirën që të vije dhe të vizitojë Prishtinën, të flasim për bashkëpunimin në mes dy qyteteve, ku edhe i shkëmbyem informatat edhe për gjendjen dhe reformat në qytetet, por edhe në përgjithësi për gjendjen në shtetet tona me theks të veçantë në pandemi dhe në gjendjen ekonomike, pra efektet të cilat i kanë për të pa si po ballafaqohemi me ato. Ashtu sikurse edhe shteti grek edhe Bakoyannis ka ofruar gjithmonë ndihmën, mbështetjen për çdo gjë që mund të kemi nevojë, janë përkrahës të proceseve të ndryshme në të cilat është përfshirë Kosova, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave. Diskutuam edhe për çështje të tjera, numrin e studentëve nga Prishtina që studiojnë në Selanik, por shihet se shkëmbimet tona në mes të njerëzve të Greqisë dhe të Kosovës po edhe të ekonomisë po rriten, prandaj do të vazhdojmë këtë bashkëpunim”, tha ai.
Kryetari i Athinës, Kostas Bakoyannis, u shpreh se ka shumë gjëra që i bashkojnë Athinën dhe Prishtinën, e në këtë kontekst ai tha se do të shikojnë mundësinë se si të bashkëpunojnë në mes vete.
Ai tha se Greqia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, derisa përmendi se si shtet do të jenë të gatshëm për sezonin e verës për të pritur turistët edhe nga Kosova.
Bakoyannis: Greqia mbështet liberalizimin e vizave
“Dy gjera, e para, ne duam që gjithnjë e më shumë njerëz nga Kosova të vizitojnë Athinën, ne ju mirëpresim, lajmi i mirë është se vaksinimi po përparon shumë shpejt në Greqi, dhe që numri i pacientëve të hospitalizuar është në rënie. Kështu që, ne besojmë se do të jemi në gjendje të hapim vendin tonë për vizitorët dhe turistët sa më shpejt të jetë e mundur, duke u siguruar që të gjithë ata që na vizitojnë do të ndihen të sigurt. Nuk ka të bëjë vetëm me mikpritjen, nuk ka të bëjë vetëm me ushqimin dhe detin, ka të bëjë me ndjenjën e sigurisë në Athinë, dhe ne do të sigurohemi që të mbrojmë shëndetin e banorëve dhe vizitorëve tanë. Dhe sigurisht, në këtë kontekst, jam i sigurt dëshironi ta dini, Greqia mbështet liberalizimin e vizave, ne në të vërtetë jemi mbështetës të suksesit evropian të Kosovës”, tha ai.
Duke qenë se në vitin 2005, kryetari i Athinës Kostas Bakoyannis kishte jetuar në Kosovë për 6 muaj, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, tregoi komentin e parë që i kishte thënë për kryeqytetin e Kosovës.
Ahmeti: Komenti i parë prej vitit 2005 tha “shumë paskëshit ndërtuar”
Athina e ka një lehtësim po e them unë, sepse e kanë Akropolisin dhe asnjë ndërtesë nuk guxon të jetë më e lartë se ajo, kështu që i kanë gjithmonë ndërtesat e ulëta dhe natyrisht komenti i parë prej vitit 2005 tha ‘shumë paskëshit ndërtuar’. Edhe atje po mundohen t’i lirojnë hapësirat publike edhe këtu, por ndryshimi natyrisht që tash ne i kemi ndërtesat e larta dhe Athina vazhdon planifikimin”, tha Ahmeti.
Ndërsa, kryetari i Athinës, Kostas Bakoyannis, tha se do të jetë për vizitë në shumë vende dhe më pas do të shohin se si do të konkretizojnë bashkëpunimin.
Për rikthimin e tij në Prishtinë, kryetari i Athinës Kostas Bakoyannis, tha se vërejti shumë ndryshime në Prishtinë, por që tha se edhe ditëve në vijim do të eksplorojë edhe më shumë qytetin.
Bakoyannis: Shumë ndryshime, unë do ta eksploroj qytetin në dy ditët e ardhshme
“Shumë ndryshime, unë vetëm kalova nëpër qytet, unë do ta eksploroj qytetin në dy ditët e ardhshme. Ajo që më bën më shumë përshtypje janë ndërtimet, kjo ka ndryshuar, por ajo që nuk ka ndryshuar është se Prishtina është një qytet i gjallë, gjë që nuk duhet të habisë askënd, duke ditur se sa të rinj jetojnë këtu. Ajo që mund të them është se është shumë e rëndësishme të përqendrohesh në një master plan, të përqendrohesh në përdorimin e tokës dhe të përqendrohesh në planifikimin urban. Shumë shpesh në të kaluarën dhe në ditët e sotme, qytetet kanë pësuar një transformim të madh dhe në të vërtetë në të ardhmen kanë paguar për gabimet e së kaluarës, kështu që tani keni një mundësi të artë për ta bërë në mënyrën e duhur dhe të mësoni nga gabimet e të tjerëve”, u shpreh ai.
Në këtë konferencë, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, u përgjigj edhe për kritikat rreth lokacionit të vendosjes së Ambasadës së Gjermanisë.
Ahmeti: Lokacioni është caktuar, Kuvendi Komunal ka votuar
“Ambasada gjermane është votuar para 5 muajve, 6 i ka, ka kaluar ajo moti. Unë nuk e di pse po diskutohet tash, lokacioni është caktuar, Kuvendi Komunal ka votuar, kemi negociuar kontratën me qeverinë gjermane, e kemi nënshkruar kontratën. Ndërtesa do të jetë ndërtesa më efiçiente e qeverisë gjermane që ka ndërtuar ndonjëherë diku, me kujdes të plotë për ruajtjen e drunjve dhe po e them ashtu të vetëqëndrueshmërisë. Ajo nuk ndërtohet besoj diku rreth 5 viteve të ardhshme duhet të përfundojë, por unë mendoj që pas shumë diskutimeve me ta me Gjermaninë dhe kërkesat e tyre që kanë pasur ky është lokacioni më i mirë, aty nuk ka lëvizje të njerëzve, ka druje të cilët do të ruhen dhe do të shtohen besa”, tha ai./M.Duraku/KP