Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, sot i është drejtuar me një letër Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve me kërkesën për kthimin e artefakteve tona që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi.
Siç thuhet në njoftimin e MKRS-së, kërkesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës përmes një letre përcjellëse, i dhanë mbështetje të plotë edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Hajrulla Çeku.
Të dy letrat argumentojnë detyrimin e Serbisë dhe institucioneve përkatëse për kthimin e këtij koleksioni bazuar në Marrëveshjet e nënshkruara që parashohin ekspozimin e përkohshëm në Beograd dhe kthimin e tij, konventën e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës, dhe pakon e Ahtisaarit që obligon Serbinë të kthej në Kosovë koleksionin në fjalë.
Lexoni më poshtë letrën e plotë të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe letrën përcjellëse nga Ministrat e Qeverisë së Kosovës në gjuhën shqipe:
Të nderuar,
Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me këtë letër që synon rregullimin e një çështje të rëndësishme që ka mbetur e hapur prej kohësh mes institucioneve tona. Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës dua t’ju kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnogafik i Kosovës. Ndonëse të marrura nga Kosova në fund të viteve 90-ta të shekullit të kaluar me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artifaktet tona vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë tuaja përkatëse.
Kam dëshirë t’ju përkujtoj detyrimin e trefishtë në raport me keto artefakte:
1. Marrëveshjet e nënshkruara mes institucioneve tona parashohin bartjen e artefakteve me qëllim ekspozimi të përkohshëm dhe kthimin e tyre në vendin e origjinës dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, pronë e së cilës janë,
2. Konventa e UNESCO-s për Mjetet e Ndalimit dhe të Parandalimit të Importit, Eksportit dhe Transferimit të Paligjshëm të Pronësisë së Pasurisë Kulturore (1970) obligon shtetet ratifikuese të punojnë për t’u siguruar që pasuria kulturore i kthehet vendit të origjinës (Serbia është ratifikuese e Konventës),
3. Aneksi V, neni 6, paragrafi 1 i Planit te Ahtisaarit në mënyrë të prerë obligon Serbinë të kthejë në Kosovë koleksionin arkeologjik dhe etnografik të marrur përkohësisht për qëllime ekspozuese në Beograd.
Numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padejtësisht në Serbi është 1247. Ato duhet të kthehen sa me parë në vendin e tyre të origjinës. Për të realizuar këtë detyrim, propozoj themelimin e një grupi punues të përbërë nga përfaqësues (nga një zyrtar) të katër muzeve: Muzeu Kombëtar i Kosovës, Muzeu Etnografik i Kosovës, Muzeu Kombëtar në Beograd dhe Muzeu Etnografik në Beograd, si dhe profesionistë ndërkombëtarë të muzeologjisë. Detyra e këtij grupi punues do të ishte hartimi i planit dhe mbikëqyrja e procesit të kthimit të të gjitha artefakteve në Kosovë.
Ju falënderoj paraprakisht për bashkëpunimin. Do të jem ne pritje të përgjigjes tuaj dhe mundësisë për të caktuar takimin e parë mes institucioneve tona.
Me respekt,
Ajet Leci
Muzeu Kombëtar i Kosovës
—
Të nderuar,
Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për angazhimin dhe kërkesën e Z. Ajet Leci, drejtor i Muzeut Kombëtar i Kosovës, për kthimin e koleksionit arkeologjik dhe etnografik nga Serbia në Kosovë. Pasuria kulturore e Kosovës e marrur në fund të viteve 1990 për qëllime ekspozuese, me kohë të kufizuar dhe me detyrimin për ta kthyer, vazhdon të mbahet në muzetë e Serbisë. Në radhë të parë si detyrim nga marrëveshja mes muzeve, pastaj edhe si detyrim nga Konventa 1970 e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës dhe Plani i Ahtisaarit, Serbia duhet të kthejë artefaktet e Kosovës duke i dhënë fund një procesi veçse të stërzgjatur.
Institucionet e Republikës së Kosovës do të ofrojnë gjithë mbështetjen e nevojshme Muzeut Kombëtar të Kosovës në përmbushjen e këtij qëllimi. Ne e mirëpresim propozimin e tyre për të themeluar një grup të përbashkët pune mes muzeve të Kosovës dhe Serbisë, me prezencë profesionale ndërkombëtare për të hartuar një plan dhe mbikëqyrur procesin e kthimit të artefakteve në Kosovë. Kërkojmë përgjegjësi institucionale nga muzetë përkatëse në Beograd, si dhe përgjegjësi politike nga qeveria në Beograd për të përmbushur një obligim ndërkombëtar. Njëherit zotohemi që nuk do të ndalemi së vepruari deri në momentin e kthimit të të gjitha pjesëve të koleksionit përkatës në vendin tonë.
Ju falemnderit për bashkëpunimin tuaj.
Me respekt,
Donika Gërvalla-Schwarz
Zv. Kryeministre
Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit/KP