Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ia ka dorëzuar zyrtarisht detyrën e presidentit të Kosovës, Vjosa Osmanit, të zgjedhur sot në këtë pozitë.
Konjufca tha se ka nderin dhe përgjegjësinë që t’ia dorëzojë detyrën Vjosa Osmanit, e cila sipas tij ka pasur përfaqësim të dinjitetshëm në të gjitha pozitat që ka pasur si deputete dhe ato tjerat, derisa shtoi se nuk ka dyshim për Osmanin e cila po e merr këtë përgjegjësi.
Konjufca: Duke e njohur nga afër presidenten nuk kam dyshim për këtë përgjegjësi
“Pozita e presidentit në mënyrën se si definohet brenda aktit më të lartë tonë, juridik, që është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e nënkupton presidentin pozitën më të lartë shtetërore, e cila pozitë duhet të përfaqësojë në tërësi popullin, por po ashtu duhet ta bashkojë atë, duke e njohur nga afër Vjosa Osmanin, e cila u zgjedh presidente e Republikës së Kosovës prej deputetëve, nuk kam dyshim, këtë përgjegjësi që po e merr, do ta kryejë me nderin dhe respektin më të lartë për popullin, të cilin ajo e përfaqëson. Presidente, urime detyra e re. Po e dorëzoj dosjen e presidentit me kënaqësi”, theksoi ai.
Presidentja e sapo zgjedhur e Kosovës, Vjosa Osmani pasi mori detyrën, tha se ka qenë nder i jashtëzakonshëm të punojë për interesin e shtetit dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe thellohet në mes institucioneve që i përfaqësojnë.
Osmani: Dera e Presidencës do të jetë e hapur për të gjithë
“Ashtu siç e thash në adresimin tim në Kuvend, dera e këtij institucioni do të jetë e hapur për të gjithë. Do të jemi presidente e të gjithë qytetarëve tanë dhe bashkëpunua me të gjitha partitë politike, me shoqërinë civile, me mediat dhe të gjithë qytetarët tanë, në mënyrë që të avancojmë Republikën tonë drejt interesave tona të përbashkëta e strategjike. Përgjatë pesë vjetëve në vijim jam e bindur që sikur deri më sot do të përballem me shume sfida, e ato mund t’i tejkalojmë vetëm kur qëndrojmë bashkë para tyre”, tha Osmani.
Sot në raundin e tretë të Kuvendit, me 71 vota është zgjedhur Vjosa Osmani presidente e re e Kosovës./I. Shabani/KP