Përfaqësuesit e partive të komunistëve romë, boshnjak, ashkalinj sot kanë dorëzuar në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ankesë lidhur me procesin zgjedhore dhe dyshimet për keqpërdorimin e votave nga Lista Serbe duke e mbështetur “Romani Iniciativa”. Këta përfaqësues paralajmëruan edhe ankimim në Gjykatën Supreme por edhe në atë Kushtetuese, varësisht nga vendimi i PZAP-së.
Kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha pasi dorëzoi ankesën tha se ata kanë animinuar në PZAP ndaj Iniciativës Rome për te cilën pretendojnë se ka marr vota nga votuesit serb. Ai shpreson se përmes kësaj ankese në PZAP do ndalet kjo e keqe për demokracinë në Kosovë.
Berisha: Kemi fakte të mjaftueshme që ka pas orkestrim të votave
Video
“Pretendojmë që gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit ka pas orkestrim të votave dhe jemi duke ankimuar Iniciativën Rome e cila është një iniciativë që ne pretendojmë se ka marrë vota në vendbanimet dhe nga votues të komunitetit serb dhe është fakt i mjaftueshëm me dëshmua se vota e komuniteteve është e lidhur me përfaqësuesit të cilët zgjedhen nga vetë ai komunitet dhe pretendimi jonë është se dy të zgjedhurit nga iniciativa rome janë romë por që në 95 përqind të zgjedhur nga komuniteti serb. Kemi konstatuar dhe kemi fakte të mjaftueshme të dorëzuara nga PZAP që kanë konstatuar shkeljen kushtetuese dhe ligjore. Jemi të bindur që nuk do shkojmë më tutje se PZAP do vendos në mënyrë meritore që të parandaloj një të keqe më të madhe për Kosovën”, tha ai.
Kryetarja e partisë boshnjake, Bashkimi Social Demokratik, Duda Balje tha se në PZAP kanë paraqitur ankesën e tyre përmes së cilës kërkojnë anulimin e votave të komunitet nëpër komunat serbe. Ajo tha se beson që drejtësia do marrë rrugën e duhur.
Balje: Jemi duke kërkuar anulimin e votave serbe
Video
“Ne mendojmë se është shkelje e Kushtetutës. Tash kemi dorëzuar në emër të komunitetit boshnjak, romë, ashkali dhe egjiptian…sot kemi dorëzuar jemi duke pritur rezultatin. Ne jemi të sigurt se drejtësia do marrë rrugën e vetë, ne mendojmë se tash kemi disa deputetë që nuk janë votuar prej komunitetit që përfaqësojnë dhe ne mendojmë që kemi të drejtë dhe deri në Gjykatën Kushtetuese jemi të gatshëm me shku.. Ne shkojmë në Gjykatën Supreme për secilin që ka marrë vota nga komunat serbe, ne jemi duke kërkuar anulimin e votave serbe që kanë votuar për boshnjakët ”tha Balje.
Njëjtë si ish-deputetja Duda Balje, edhe Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, shpreson se PZAP do marrë vendim të duhur karshi kërkesës së tyre.
Galushi: Shpresoj që PZAP do marrë vendimin e duhur
Video
“Shpresoj që PZAP do marrë vendimin e duhur dhe mos të përsëritet një precedent i rrezikshëm i cili mund t’i ndodh republikës sonë”, theksoi ai.
Albert Kinolli tha se në zgjedhjet e 14 shkurtit është shkelur vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe zgjedhja e dy deputetëve të Iniciativës Rome e konsideron jodemokratike.
Kinolli: Është shkelur mbi vullnetin e lirë të sovranit
Video
“Jemi të dëmtuar në këtë proces, është shkelur mbi vullnetin e lirë të sovranit, është shkelur vota e qytetarit dhe ju e dini që Kushtetuta e Kosovës thotë se çdo qytetar ka të drejtë të zgjedh apo të jetë i zgjedhur por me këto rezultate sa i përket Iniciativës Rome nga Gracanica, e cila për momentin i ka të zgjedhur dy deputetë, kemi konstatuar se janë të zgjedhur në mënyrë jodemokratike, joligjore dhe antikushtetuese dhe në këtë mënyrë është cenuar vete Kushtetuta e Kosovës”, tha ai.
Kurse, Ehat Miftari nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se Qendra për Ndihmë Juridike Falas ka ofruar ndihmë juridike për komunitetet joshumicë ndaj të cilëve është shkelur vullneti i qytetarëve të komuniteteve joshumicë.
Miftari: Kemi një manipulim të orkestruar nga Lista Serbe
Video
“Kemi një manipulim të orkestruar nga ana Listës Serbe, nga ana e disa partive politike boshnjake dhe romë dhe në bazë të asaj çfarë kemi gjetur dhe vërtetuar, janë afërsisht 10 mijë vota të cilët kanë kaluar nga komuniteti serbe tek se paku dy parti iniciativa që cenon rëndë në rend të parë rendi Kushtetues të Kosovës dhe cenon rëndë legjitimitetin e përfaqësuesve të popullit që do duhej t’i përfaqësonin komunitetet joshumicë”, tha Miftari.
Përndryshe, janë mbi 15 ankesa që janë dorëzuar në PZAP lidhur me procesin zgjedhor të mbajtur më 14 shkurt. PZAP ka kohë prej 72 orëve për të kthyer përgjigje këtyre ankesave./B.Ibishi/KosovaPress