Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) kanë zhvilluar sot një takim online me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Kosovës në Japoni, Arbër Mehmetin.
Pjesë e këtij takimi ishin presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, këshilltari i presidentit, Besim Aliti dhe shefi i misionit për Lojërat Olimpike Tokio 2020, Jeton Rudari, përcjell KosovaPress.
Qëllimi i këtij takimi ishte përgatitja për Lojërat Olimpike Tokio 2020, ku pritet që Kosova të përfaqësohet prej 10-13 sportistëve.
Të dy palët arritën marrëveshje që të bashkëpunojnë ngushtë në lidhje me organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të ekipit olimpik të Kosovës në qytetin e Sanjos, disa ditë para se të udhëtojnë drejt Fshatit Olimpik në Tokio.
Gjithashtu, KOK-u pritet të arrijë marrëveshje për një Memorandum Bashkëpunimi me organizatorin e Lojërave Olimpike dhe me komunën e Sanjos, ku pritet të kenë ndihmë edhe nga Ambasada e Kosovës.
Lojërat Olimpike Tokio 2020 do të zhvillohen nga 23 korriku deri më 8 gusht 2021, në Tokio të Japonisë./KP