Eddie Hearn ka konfirmuar se Anthony Joshua tani ka filluar zyrtarisht kampin e tij stërvitor për luftën kundër Tyson Furyt.
Dihet që dyshja kanë nënshkruar kontratë tashmë për tu ballafaquar, por ende nuk është caktuar data dhe vendi ku do të zhvillohet kjo luftë.
Hearn ka përditësuar lajmet e fundit dhe ka treguar se kampi stërvitor i Joshuas tani ka filluar siç duhet.
Ai së shpejti do të drejtohet në EIS në Sheffield dhe do të lidhet me trajnerin kryesor Rob McCracken, përcjellë KosovaPress
“Ne nuk mund të presim. AJ ka filluar kampin e tij të trajnimit dhe Fury ka qenë duke u stërvitur shumë fort. Ata të gjithë e duan këtë luftë.”, tha fillimisht Hearn.
“Ata do të paraqiten me disa propozime se ku ta bëjnë luftën dhe të gjithë duhet të bien dakord se ku ta bëjnë atë. Nuk ka asnjë luftë tjetër që afrohet për secilin prej tyre në atë kohë. Korriku është muaji kur mund të zhvillohet lufta.”, shtoi.
“Me të vërtetë mendoj se në fundin e javës tjetër do të caktohet data.Bisedimet kanë përparuar jashtëzakonisht mirë dhe ne jemi duke mbyllur sigurimin e vendit dhe do të ketë një njoftim në kohën e duhur.”
“Ne jemi në fazën ku ndoshta është më mirë të mos them shumë më shumë se kaq.”, tha në fund Hearn./KP