​Incidenti në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës, vjen reagimi i ministres Nagavci

- in Lajme

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka reaguar pas incidentit në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës, me ç’rast policia e Kosovës ka ndërhyrë kundër banorëve të fshatit, të cilët e bllokuan derën e hyrjes së shkollës për të mos e lejuar futjen e invertarit për fëmijët parashkollorë.

Në një postim në Facebook, e para e Arsimit shpreh shqetësimin mbi rastin e sotëm dhe se ajo ka bërë të ditur se ka kontaktuar me ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla nga i cili është njoftuar se Inspektorati Policor tashmë ka nisur me hetime nëse ka pasur tejkalim të kompetencave.

“Kjo është një situatë e krijuar tash e një kohë në mes kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe banorëve të disa fshatrave atje dhe nuk ka të bëjë asgjë me nivelin qendror. Sado që ka qëllime tendencioze, e vërteta është se ne nuk kemi ndërhyrë në situatën e krijuar në mes të komunës dhe banorëve në asnjë rast. Por respektojmë të drejtën e qytetarëve dhe mendojmë se askush nuk ka të drejtë të tejkalojë kompetencat aq më tepër kur në këtë mes janë fëmijët”, shkruan Nagavci.

Ajo ka përsëritur se çdo fëmijë ka të drejtën e shkollimit dhe se nuk ka asnjë arsyetim për faktin se më shumë se 440 fëmijë janë privuar nga kjo e drejtë.

“Ftoj komunën që të jetë në nivel të përgjegjësisë e të mos lejojë asnjëherë më të përsëriten situata të tilla. Prindërit dhe banorët, ndonëse janë përballur e po vazhdojnë të përballen me një situatë jo të lehtë, i lus të jenë të kujdesshëm në mënyrë që të mos krijohen ngjarje si kjo sot e mbi të gjitha të mos rrezikohet siguria e fëmijëve. Fëmijët duhet të jenë në shkollë. Prindërit të kenë në vëmendje të parë kujdesin për fëmijët, e Kryetari duhet të jetë në shërbim të qytetarëve”, ka thënë ministrja Nagavci.

I pari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar sërish për ngjarjen e sotme në Shipashnicë të Poshtme. Në reagimin e tij, Kastrati tha se është koha e fundit të përvjelim mëngët, “kësaj radhe jo për politikë, por për të mirën e përbashkët”.

“Le të ma thotë dikush edhe veç një arsye të qëndrueshme pse nuk duhet hapur çerdhen në Shipashnicë dhe unë jam gati të tërhiqem”, ka thënë ai.

Ndryshe, MASHTI në prill të këtij viti mori vendim për organizim të përshpejtuar të mësimit për 441 nxënës në Kamenicë, të cilët për pothuajse dy vjet nuk janë pjesë e sistemit edukativo arsimor, për shkak të reformave arsimore.

Ministrja e Arsimit ka deklaruar se riorganizimi i shkollave me numër të vogël të nxënësve në Kamenicë duhet të bëhet dhe se si ministri do të punojnë ngushtë me të gjitha palët, ashtu që të jetë e mirë planifikuar dhe në interesin më të mirë të fëmijëve./KP