​Hoxhaj: PDK ka pasur programin dhe ekipin më të mirë nga të gjitha partitë tjera

- in Lajme

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Enver Hoxhaj ka folur rreth arsyeve që ndikuan që kjo parti në zgjedhjet e 14 shkurtit të shënojë rënie të votave, pavarësisht se doli e dyta.

Ai në emisionin “Pressing” të T7 ka thënë se rënia prej rreth 40.000 votave krahasuar me zgjedhjet 2019, do të merret seriozisht nga lidershipi i saj.

“PDK në këto zgjedhje ka pritur shumë më shumë, por kundërshtarët e saj kanë menduar se do të kemi një rezultat me pasoja katastrofale. PDK-ja doli e dyta dhe ne do të bëjmë opozitën. Arsyet që kanë sjellë këtë rezultat janë të shumta, duke nisur nga situata e brendshme, por një pjesë ka të bëjë edhe me shtet-ndërtimin e Kosovës. Goditjet kanë qenë konfirmimi i aktakuzës për presidentin dhe kryetarin. Së dyti, kemi qëndruar shumë gjatë në qeveri. Qëndrimi jonë me LDK-në dhe AAK-në, duke bërë kryeministër Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, i ka kushtuar PDK-së, duke qenë pa pushtet real. Prej 2014, është bllokuar shtet-ndërtimi i Kosovës dhe deri më 14 shkurt Kosova është në gjendje të status quo-s dhe nuk ka ecur përpara. Nuk ka pasur liberalizim të vizave, për të cilin kemi paguar një çmim politik”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se PDK në zgjedhjet e 14 shkurtit ka pasur programin dhe ekipin më të mirë nga të gjitha partitë e tjera, por “një pjesë e madhe e qytetarëve për shkak të pandemisë, për shkak të rrëzimit të Qeverisë Kurti në mes të pandemisë, e kanë ndarë mendjen më herën se sa që kanë lexuar programe”./KosovaPress