​Hoti: Këta ‘të kuqët’ nuk besuan se do të bëhet shteti i Kosovës

- in Lajme

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti gjatë një tubimi elektoral në Gjakovë tha se asnjë qeveri nuk e ka trajtuar më mirë çështjen e të pagjeturve sesa qeveria aktuale në detyrë e cila udhëhiqet nga ai.

Hoti tha se përveç LDK-së opsion tjetër nuk ka Kosova pasi kjo parti kanë një program qeverisës që integrohen shtetin e Kosovës në BE dhe se 2021-ta do përmbyllet me liberalizim të vizave.

Nga Gjakova kryeministri në detyrë zejtarëve të kësaj komune, por edhe të qytetarëve të tjera iu ka premtuar mbrojtje të vlerave të tyre me ligj.

Hoti tha se Amerika i beson LDK-së pasi ata nuk kanë orientime të majta e të kuqe, por kanë orientim civilizues e vlera demokratike.

Pretenduesi për postin e shefit të ekzekutivit gjatë këtij tubimi ka kërkuar mbështetjen e gjakovarëve për të vazhduar proceset tutje për përmbylljen me dialogun me Serbinë, i cili edhe letrën e presidentin amerikan, Joe Biden i cili kërkoi njohën e shtetit të Kosovës nga Serbia e konsideroi si dhuratë nga Zoti.

Hoti: Përveç LDK-së, opsion tjetër për shtetin e Kosovës nuk ka

Video

“Asnjë qeveri më mirë se kjo qeveri nuk e ka trajtuar çështjen e të pagjeturve e kemi shtruar temë të parë në procesin e dialogut. Jam konsultuar me të gjitha shoqatat e familjeve të të pagjeturve se si të dizajnojmë këtë proces dhe kemi arritur rezultate dhe a e dini cilat janë ato rezultate se kanë për t’u hapur të gjitha arkivat shtetërore të shtetit të Serbisë pa asnjë kushtëzim për të ofruar informatat për personat e pagjetur se do të vendoset drejtësia për ato raste. E këta të tjerët e kanë bërë kauzë të rrejshme këtë gjë dhe nuk kanë lënë gjë pa thënë e pa bërë me këtë temë. Tash na presin proces të rëndësishme përpara unë kërkoj mbështetjen tuaj këtu në qytetin e Gjakovës keni rol historik në këto zgjedhje dhe jam i bindur që kemi me marr besimin e qytetarëve edhe këtu dhe gjithkund në Kosovë…Opsion tjetër për shtetin e Kosovës nuk ka unë kam qenë edhe herët tjera dhe iu kam prezantuar program qeverisë dhe iu ka thënë se programi qeverisës është më i miri kësaj radhe është i vetmi program opsion nuk ka tjerë, ka vetëm njerëz me megafon rrugës që bërtasin, ka vetëm qytetar të komunave që sulmojnë qytetarët e vetë e shirita nëpër shtylla elektrike që vendosen që na kujtojnë regjimin e mëparshëm. Do t’i vazhdojmë politikat tona për integrim evropian, do ta përmbyllim vitin me liberalizim të vizave, do ta përmbyllim këtë vit me proces të dialogut të përmbyllur me njohje reciproke siç u konfirmuar edhe nga presidenti i ri amerikan”, tha ai.

Hoti derisa iu ka drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje me “të kuqët”, tha se ata nuk besojnë në anëtarësimin e Kosovës në BE.

Hoti: Këta ‘të kuqët’ nuk besojnë në anëtarësimin në BE

Video

“Kërkoj besimin e qytetarëve të Gjakovës për këtë vizion të qartë të presidentit Rugova të burrave dhe grave që e kanë nisur këtë mision tash e 30 vjet, dhe ne kemi për obligim ta dërgojmë këtë mision përpara që ta dërgojmë shtetin në destinacionin e fundit, i cili është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Këta të kuqët nuk besojnë në to siç nuk kanë besuar tash e 30 vjet se do të bëhet shteti i Kosovës, janë po të njëjtët njerëz që i kanë kundërshtuar të gjitha proceset e shtet-ndërtimit të Kosovës. Këto gjëra për këta as ëndërr nuk i shohin, pasi ata nuk kanë vizionin e LDK-së”, tha Hoti.

Kreu i Aleancës Kosova e Re, që në zgjedhjet e 14 shkurtit garon në listën e LDK-së, Behgjet Pacolli iu drejtuar mbështetësve duke iu kërkuar që përmes votës ta pengojnë Lëvizjen Vetëvendosjes për të udhëhequr me Kosovën.

Pacolli: Gjakova duhet me i largua këta njerëz

Video

“Sa kontrovers janë këta njerëz. A duhet dikush t’ua besojë Kosovën këtyre? Mos, ju lutem, Gjakova duhet ta ngre zërin dhe duhet larguar këta njerëz, të cilët nuk kanë çka kërkojnë në Gjakovë. Këta njerëz nuk kanë çka lypin në mesin e njerëzve të ditur, në mesin e akademikëve e atyre që e kanë ndërtuar këtë shtet. Ju lutem t’ua ndërpresim rrugën, mos t’i lëmë ata jo, me dhunë, por me votën tuaj më 14 shkurt, në mënyrë që ta përfundojmë shtet-ndërtimin e Kosovës”, tha ai.

Brikenda Kryeziu, Shefqet Shehu dhe Lindita Bellaja janë emrat e kandidatëve për deputetë nga Gjakova që përmes listës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkojnë vota për ulëse në Kuvend./ B.Ibishi/ KosovaPress