Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar nga qeveria Kurti amendamentimin e Ligjit për Paga.
Përmes një konference për medie, Haradinaj tha se procedimi tutje i këtyre ndryshimeve në qeveri është i nevojshëm, pasi i kthehet dinjiteti mjekëve, policëve dhe gjithë zyrtarëve publikë.
Haradinaj: Përmes projektligjit për paga të kthehet dinjiteti i mjekëve dhe policëve
“Kërkojmë prej qeveria, aq sa është e mundur ta rikthejë në procedurë në qeveri, ta amendamentin aty ku ka pas vërejtje, ta kthen në parlament për t’i dhënë përkrahje këtij ligji. Përmes tij i rikthejmë dinjitetin, jo vetëm mjekëve dhe policëve, por gjithë zyrtarëve publikë”, tha ai.
Mbështetje Qeverisë Kurti për këtë temë i premtoi shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, por i paraqiti disa nga kërkesat e tyre.
Tahiri: Qeveria do të ketë mbështetjen e AAK-së në projektligjin për paga
“Ajo që ne kërkojmë dhe sugjerojmë qeverisë është që të vazhdojë rregullimin e pagave të këtij ligji në një listë të koeficienteve të zbuluar, pra mos t’i mbyllim koeficienteve, për shkak se kjo do të ulte transparencën. E dyta, kërkojmë që në programin e tyre qeveritar, njëkohësisht planifikimit buxhetor të inkorporohet buxhetimi i këtij ligji. E treta, ato amendamenteve që sugjerohen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese janë relativisht të sakta, të inkorporohen në ligj dhe të vij në Kuvend. Me këto amendamenteve qeveria do të ketë mbështetjen e grupit parlamentar të AAK-së”, u shpreh ai.
Ndërsa, anëtari i kryesisë së AAK-së, Fatmir Gashi tha se miratimi i këtij projektligji nuk do të paraqiste problem në stabilitetin makro-fiskal.
Gashi: Ligji nuk kishte me pas asnjë problem në stabilitetin marko-fiskal
“Ligji nuk kishte me pas asnjë problem në stabilitetin marko-fiskal, as në politikën fiskale dhe as në deficitin buxhetor nuk do të kishte pasur ndikim”, tha ai.
Gjykata Kushtetuese vitin 2019 ka shfuqizuar Ligjin për pagat, pasi sipas tyre i njëjti në tërësinë e tij nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën./E.Zeqiri/KP