​Haradinaj: I padobishëm veprimi i Albena Reshitaj për të marrë pjesë në seancën për presidentin

- in Lajme

Ani pse Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKK) në krye me Ramush Haradinaj vendosën që të mos marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, një gjë të tillë nuk e përfilli deputetja e kësaj partie, Albena Reshitaj.

Reshitaj po merr pjesë në seancën ku pritet të votohet presidenti i ri ku në garë janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.

Për këtë ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se është i padrejtë dhe i padobishëm veprimi i deputetes Reshitaj për të marrë pjesë në seancën për presidentin.

Haradinaj ka thënë se Reshitaj e ka informuar se do të marrë pjesë në seancë.

“Nuk na është kërkuar vota si subjekt politik. Jam informuar se ajo po don me marr pjesë në seancë, unë i kam shpreh qëndrimin se jam kundër. Ka qenë veprim individual i saj. Këtë pjesë nuk e kam qartë nuk e kam diskutu. E konsideroj të padrejtë dhe të padobishëm veprimin individual të zonjës Reshitaj. Është vendim jashtë atyre që kemi biseduar në kryesi”, tha Haradinaj në Debat Plus në RTV Dukagjini./KP