​Hapet ekspozita e të rinjve shqiptarë dhe serbë, apelohet edhe për bashkëpunime të tjera

- in Kult

Është hapur ekspozita e 30 të rinjve nga komuniteti serb dhe shqiptar në Kosovë, në lidhje me ballafaqimin me të kaluarën dhe dialogun ndërkulturor, organizuar nga Youth Initiative for Human.

Drejtoresha e organizatës, Marigona Shabiu tha se Kosova ka nevojë për platforma që kanë në fokus bashkëpunimin mes shqiptarëve dhe serbëve.

Sipas saj, ky është një prej aktiviteteve të shumta të organizatës, që ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit mes të rinjve në Kosovë.

Shabiu tha se përmes platformave të tilla synojnë të kontribuojnë në krijimin e një shoqërie më paqësore, më të drejtë dhe më të barabartë.

Shabiu: Kemi nevojë për platforma që kanë fokus bashkëpunimin mes shqiptarëve dhe serbëve

 

“Jemi shumë të kënaqur që arrijmë të krijojmë platforma të tilla ku të rinjtë dhe të rejat takohen, bashkëbisedojnë, dialogojnë me njëri-tjetrin dhe krijojnë shoqëri të reja, krijojnë shoqëri të reja dhe kanë mundësi të bashkëpunojnë dhe prezantojnë para publikut punime të ndryshme qoftë artistike, që kanë fokus rritjen e bashkëpunimit mes shqiptarëve dhe serbëve. E shohim që kjo është shumë e nevojshme sidomos në shoqërinë tonë dhe kemi shumë nevojë për aktivitete të tilla ku të rinjtë kanë mundësi të njohin njëri-tjetrin”, tha ajo.

 

30 të rinj nga komuniteti serb dhe shqiptar në Kosovë të moshës 16-30 vjeç kanë shkëmbyer përvoja dhe kanë mësuar në lidhje me ballafaqimin me të kaluarën dhe dialogun ndërkulturor në Programin e Shkëmbimit Rinor IV (YEP IV).

Gjatë shkëmbimit të rinjtë kanë përdorur forma arti për projekte të përbashkëta si medium për dialog dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin, si dhe një mënyrë për të kundërshtuar bashkërisht narrativat nacionaliste që ekzistojnë në shoqëritë tona dhe njëkohësisht për të promovuar pajtimin.

Pjesëmarrësit janë ndarë në 4 grupe tematike të teatrit, prodhimit të videos fotografisë dhe “storytelling” për të përdorur forma arti dhe për të bërë projekte të përbashkëta si një medium për dialog dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin, si dhe një mënyrë për të kundërshtuar bashkërisht narrativat nacionaliste që ekzistojnë në shoqëritë e dy vendeve dhe njëkohësisht për të promovuar pajtimin. Projektet e tyre u ekspozuan në këtë ekspozitë./.N.Jakupi/KP