Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka dorëzuar padi për shtyrje të ekzekutimit të vendimit kundër vendimit për leje mjedisore komunale të Komunës së Prishtinës për projektin “Parku i Aventurave” në Gërmi.
Sipas tyre, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kanë shmangur kërkesat ligjore dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrje.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se komuna ka lëshuar leje mjedisore komunale për realizimin e projektit “Parku i Aventurave”, në kuadër të “Peizazhit të Mbrojtur Gërmia”. Për këtë ai gjatë dorëzimit të padisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, theksoi se ky vendim është në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Fetahu: Komuna ka vepruar jashtë autorizimeve
(Video)
“Sipas Institutit për Mbrojtjen e Natyrës ky lokacion është zona më e pasur dhe më e rëndësishme e biodiversitetit në peizazhin e Mbrojtur të Gërmisë. Po ashtu në këtë zonë gjenden pyjet e ahut më të vjetra dhe më të ruajtura në Kosovë. GLPS dhe Qytetarë Aktivë konsiderojnë që ky vendim është në kundërshtim me ligjet në fuqi. Në këtë rast, komuna ka vepruar jashtë autorizimeve të përcaktuara me Ligjin për Ndikimin në Mjedis. Kështu, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit kanë shmangur kërkesat ligjore dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrje”, ka thënë ai.
Sipas tij, as Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk e ka vlerësuar të drejtë kërkesën e komunës. Të dy këto institucione, siç tha ai, kanë shmangur kërkesat ligjore dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrje.
Fetahu: Të anulohet vendimi i Komunës së Prishtinës
(Video)
“Në padi, GLSP dhe Qytetarë Aktivë, kërkojnë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative të shtyjë ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës deri në vendosjen meritore të rastit dhe në fund të anulojë vendimin e Komunës së Prishtinës”, ka shtuar ai.
Për këtë ka reaguar edhe Flutura Zymi nga “Qytetarët Aktivë”, e cila tha se që tre muaj e dhjetë ditë janë bërë prej kur ata janë duke reaguar për shkeljet ligjore, që sipas tyre po bëhen me këtë projekt.
Zymi: Është shkelje ligjore ndaj qytetarëve
(Video)
“Është shkelje ligjore ndaj qytetarëve, ndaj të drejtës së qytetarit, të drejtës së mbrojtjes së natyrës. Shpresojmë që ky rast do të jetë ndër rastet që do t’iu tregon të gjithëve qytetarëve që më nuk munden me investua me taksapaguesit të qytetarëve pa u informua qytetarët dhe pa involvuar ata. E jo duke bërë shkelje ligjore”, ka thënë ajo.
Krenare Salihu nga Organizata Botërore për Mbrojtje të Natyrës tha se që nga koha kur është vendosur për implementimin e një projekti të tillë, kanë qenë kundër për shkak të shkeljeve ligjore.
Salihu: Të merren për bazë rekomandimet tona
(Video)
“Ne kemi rekomanduar edhe kemi ardhur me rekomandimet tona profesionale që të ndryshohet lokacioni dhe të merren për bazë disa çështje që janë të florës dhe faunës dhe të biodiversitet të asaj pjese”, ka shtuar ajo.
Më 30 tetor të vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Sport Marketing kishin arritur marrëveshje për projektin “Parku i Aventurave” i cili do të ndërtohet në Gërmi. Atë kohë u tha se projekti është miqësor me ambientin duke siguruar se instalimet janë në përputhje me standardet e larta të sigurisë, por edhe instalimet të mos i dëmtojnë drunjtë në këtë park.
Projekti përfshinte shfrytëzimin e rreth hapësires prej 70 ari me disa sfida që janë të ngritura prej tokës, me shteg të ecjes që nuk do dëmtojë bimësinë e parkut. Parku i Aventurave do të bashkë financohet nga Komuna e Prishtinës dhe Agjensioni Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe do të menaxhohet nga ndërmarrja publike “Sport Marketing”./Sh.Pajaziti/KosovaPress