Deri më tani vetëm në qendrën “1 tetori” në Prishtinë, janë vaksinuar rreth 1500 persona. Nga sot ka filluar edhe vaksinimi i personave nga 75 deri në moshën 79 vjeçare, ku është vërejtur edhe fluks më i madh i qytetarëve. Me dozën “AstraZeneca”, deri në mesditë janë vaksinuar 170 të moshuar, profesionistë shëndetësorë dhe ata me sëmundje kronike.
Koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi ka thënë se sot ka fluks më të madh të personave, ndërkohë që thekson se ka pasur edhe profesionistë shëndetësorë të vaksinuar.
Bardhi: Deri më tani janë të vaksinuar 170 persona
(Video)
“Është një fluks që deri në orës 12:20, sipas statistikave që më kanë ofruar kolegët këtu nga tavolinat e vaksinimit, deri më tani janë të vaksinuar 170 persona. Ku prej tyre të sëmurë kronikë janë 154. Ndërsa, të tjerët janë profesionistët dhe prapë që kemi një grup-moshë dhe katër pacientë që janë të dializuar. Aktualisht, sot procesi më voluminoz, por çdo gjë po ec mbarë e mirë. Akoma nuk kemi pasur dhe urojmë që të mos kemi ndonjë shqetësim prej këtyre personave që po vaksinohen”, theksoi Bardhi.
Bardhi ka treguar edhe për numrin e personave të cilët janë vaksinuar për gati tri javë në këtë qendër.
Bardhi: Numri po shkon gati 1500
“Nga periudha kur kemi filluar me të moshuarit dhe tani me të sëmurit kronik, numri po shkon te 1500”, ka shtuar ai.
Ani pse nuk është duke trajtuar ndonjë sëmundje kronike, 77 vjeçarja Lirie Hana thotë se ishin fëmijët që e bindën për të marrë dozën e parë të vaksinës.
Hana: Kur më thanë që as në deti nuk mundem me shku pa vaksinë, atëherë vendosa
“Fëmijët shko nënë se unë nuk kisha ardhur se jam biologe, jam me shëndet të mirë. Vetëm me reumë jam, për atë nuk kisha ardh, të drejtën me thënë. Por kur më thanë që as në Shqipëri nuk mundesh me shkuar në deti, atëherë vendosa. E ndiejë vetën shumë mirë”, tregon ajo.
Dikush tjetër ka vendosur vet që të sigurohet kundër COVID-19. Ilaz Berisha, i cili është 79 vjeçar tregon se nuk është frikësuar nga kjo vaksinë.
Berisha: Mirë jam, tash ta shohim
“Unë jam lajmëruar kaherë, e kam pa që e kanë publikuar adresën. Sot erdha e morra, mirë jam. Të shohim këtu e tutje”, tregon ai.
E 76 vjeçarja, Rabë Drenica para disa muajve ishte ballafaquar me korona virusin. Ani pse nuk kishe pasur komplikimeve, thotë se ka vendosur që të sigurohet.
Drenica: Pasi që po e marrin krejt edhe unë
“Mirë, pasi po e marrin krejt edhe ne po marrim…. pak, shumë pak. As nuk kam pas temperaturë, as kam pas ethe. Veç kolli që më ka mbërthye”, thotë Drenica.
Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se më 16, 17 dhe 18 prill në Prishtinë dhe komunat tjera do të vaksinohen personat e moshës 75-79 vjeç me sëmundje kronike, sipas listës së diagnozave të pacientëve me këto sëmundje./Sh.Pajaziti//KP