Në Komunën e Deçanit vazhdojnë të jenë rreth 300 raste aktive me COVID-19, çka shënon edhe rritje të numrit të personave të infektuar me virusin Corona në këtë komunë.
Kështu bënë të ditur drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në këtë komunë, Musa Berisha, i cili thotë se shtimi i rasteve me SARS-CoV-2 ka reflektuar edhe në Deçan.
Berisha në një intervistë për KosovaPress thotë se janë angazhuar me të gjitha kapacitetet që të përballojnë fluksin e të prekurve me virusin Corona.
Berisha: Aktualisht i kemi rreth 300 raste aktive me COVID-19
“Nuk ka një numër të saktë, për shkak se një pjesë e njerëzve ose kërkojnë shërbime mjekësore jashtë institucioneve, të cilat e menaxhojnë situatën ose gjejnë mënyra tjera. Por, ato raste që janë trajtur në institucione shtetërore, këtu në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare në Deçan dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës, në Pejë, rreth 300 të infektuar, aty diku sillet numri. Fatkeqësisht, një shtim i numrit të të infektuarve në përgjithësi”, thotë ai.
Për një menaxhim më të mirë të pandemisë, Berisha thotë se kanë angazhuar të gjithë mjekët e ri, që posedojnë licencë pune.
Në këtë drejtim, ai thotë se janë dalluar nga të gjitha komunat e tjera.
Berisha: Kemi angazhuar në punë të gjithë mjekët e ri
“Ne e kemi pasur një veçanti nga komunat tjera, sepse të gjithë mjekët e ri, të cilët kanë diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Mjekësisë, ne të gjithë i kemi marrë në punë, për ta shtuar numrin e personelit mjekësor dhe të jemi sa më të gatshëm të përballojmë situatën dramatike nëpër të cilën po kalojmë… Vazhdojnë ta kenë derën e hapur të gjithë ata mjek nga komuna e Deçanit, të cilët diplomojnë dhe kanë licencë pune, e kanë derën çelë për të ndihmuar me e përballu situatën e pandemisë e cila ka shkaktuar kaq shumë telashe edhe në nivel botëror”, tregon ai.
Rastet të cilat janë më të rënda, Berisha thotë se i dërgojnë për trajtim në Spitalin e Pejës, e kur komplikimi është më i madh, prej atje dërgohen për të marrë trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Berisha: Ne japim ndihmën e parë dhe bëjmë diagnostikimin
“Ne nuk shtrijmë këtu, ne u japim ndihmën e parë, diagnostikimin e tyre, nëse ka nevojë për një gjë të tillë, i dërgojmë në Spitalin e Pejës dhe aty i trajtojnë në mënyrë të veçantë, e prej aty në Prishtinë”, tregon ai.
Si pasojë e rritjes së rasteve me COVID-19, Qeveria e Kosovës ka marrë një numër masash për të ulur shpejtësinë e përhapjes së virusit Corona, ku prej datës 7 prill deri më 18 prill ndalohet lëvizja e lirë e qytetarëve nga ora 22 deri në 5, ndërsa gastronomisë i lejohet vetëm shërbimi ‘take away’, kurse procesi mësimor do të zhvillohet në formë virtuale./N.Jakupi/ KP