Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka e ka quajtur vendim të porositur dhe jo Kushtetues shkarkimin e saj nga Presidentja Vjosa Osmani, derisa paralajmëroi edhe ankesë në Gjykatën Kushtetuese.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, Daka tha se vendimi për shkarkim është qesharak dhe kontradiktor me vetveten.
Daka: Vendimi për shkarkimin tim është jo Kushtetues dhe jo ligjor
“Dje me vendimin e saj, Presidentja e Kosovës, ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës së fundit zgjedhore për shkarkimin tim. Dua t’iu bëj të ditur qysh në fillim se ky është një vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj. Këtë e them duke u mbështetur në faktet se arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim, jo vetëm që është i paligjshëm, kontradiktor me vetveten, por edhe qesharak. Të akuzohem për mospunë dhe për vendimet kolegjiale të cilat janë marrë nga të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe të ndëshkohem vetëm pse kam aplikuar Kushtetutën dhe Ligjin është absurditet i llojit të vet dhe sipas të gjitha gjasave vendim i porositur. Ky vendim i Presidentes, i bërë publik pasditen e së hënës, shihet qartë se ishte përgatitur më herët. Këtë e dëshmon edhe fakti për emërimin brenda pak minutave të kryetarit të ri të KQZ-së”, tha Daka.
Ish kryesuesja e KQZ-së, shpalosi edhe detaje nga takimi me presidenten Osmani, që i parapriu shkarkimit të saj.
Daka: Në këtë takim, presidentja Osmani ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme
“Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë edhe një takim në të cilin isha e ftuar nga Presidentja e Kosovës. Në këtë takim, ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoja falënderime publike për punën e deritanishme si Kryetare e KQZ-së, si dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen. Natyrisht se kjo ishte një gjuhë dhe sjellje e papranueshme për mua nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës. Asaj i kam thënë se kam përmbushur detyrën time me integritet të lartë profesional dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”, shtoi ajo.
Sipas Dakës, arsyet e dhëna në vendimin për shkarkim janë të paqëndrueshme dhe nuk mbështetën në realitet.
Daka: Këto janë arsye të paqëndrueshme dhe nuk mbështeten në realitet
“Në këtë vendim, Presidentja e Republikës ka renditur disa arsye për shkarkimin tim. Këto janë arsye të paqëndrueshme dhe nuk mbështeten në realitet, i cili është krejtësisht i ndryshëm. Argumentet e dhëna nga Presidentja e Kosovës janë lehtësisht të rrëzueshme dhe nuk duhet mundim i madh për ta bërë këtë[…]Të akuzohem vetëm unë, i bie që të gjitha vendimet e marra në KQZ janë marrë vetëm nga Valdete Daka dhe jo nga KQZ-ja si një organ kolegjial, i përbërë nga 11 anëtarë. Sot, ne mund ta pyesim Presidenten se sipas kësaj logjike, a do të duhej të shkarkoheshin të gjithë anëtarët e KQZ-së për mos dëgjueshmëri dhe për vendimet e marra”, tha ajo.
Për këtë arsye,Daka tha se do t’i përdorë të gjitha mundësitë ligjore për të ankimuar këtë vendim.
Daka: Nëse ka mundësi unë do t’i drejtohem edhe Gjykatës Kushtetuese
“Unë do të shoh të gjitha mundësitë për të kërkuar të drejtën time përmes rrugëve ligjore, e cila është shkelur me një vendim politik dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme[…]Nëse ka mundësi unë do t’i drejtohem edhe Gjykatës Kushtetuese, por do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje shkarkoi nga detyra e kryesueses së KQZ-së, Valdete Dakën, derisa emëroi Kreshnik Radoniqin si pasues të saj. /E.Zeqiri/KP