Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se takimi me presidentit serb Aleksandar Vuçiq është për vendosjen e kapitullit të ardhshëm për dialogun, e jo vazhdim i dialogut të mëhershëm.
Kreu i qeverisë tha se para takimit të tij të parë me Vuçiq do të mbajnë një seancë në Kuvendin e Kosovës për diskutimin e marrëveshjeve të kaluara dhe zbatimin e tyre.
Kurti: Është takim për dialogun e ardhshëm, s’është vazhdim i dialogut të mëhershëm
“Do të kemi edhe një diskutim në Kuvendin e Republikës lidhur me gjendjen e deritanishme të dialogut të kaluar, sepse duhet të shohim ku ndodhim sa i përket marrëveshjeve të dikurshme, zbatimit dhe ndikimit të tyre. Ndërkaq, takimi në Bruksel nuk është vazhdim i dialogut, por është takim i parë, ku për herë të parë do ta kem përballë presidentin e Serbisë, me të cilin nuk jam takuar asnjëherë në jetë, nëse përjashtojmë tryezën me mbi 30 veta në shkurt 2020 në Munih të Gjermanisë. Ky është takim i parë dhe aty mund të shohim çfarë mund të ketë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”, tha ai.
Këto komente, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i bëri pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për mbajtjen e datës për zgjedhje lokale.
Ai, para gazetarëve tha se më herët që mbahen zgjedhjet, aq më mirë është, por sipas gjitha gjasave të njëjtat do të mbahen në muajin tetor.
Kurti: Zgjedhjet lokale të mbahen në tetor
“Konsiderojmë që muaji tetor është muaji kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet. Për neve si LVV, meqenëse në këtë takim isha në cilësinë e kryetarit, sa më herët zgjedhjet aq më mirë është. Por presidentja do t’i takojë edhe kryetarët e partive të tjera dhe në fund të përcaktojë një datë shumë të rëndësishme edhe për demokracinë në republikën tonë, por edhe qeverisjen komunale”, tha ai.
I pyetur për kandidaturën e Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën, Kurti tha se atë e cakton Këshilli i Qendrës së partisë në kryeqytet.
Kurti: Këshilli i Qendrës së LVV në Prishtinë e vendos një gjë të tillë
“Këshilli i Qendrës së LVV në Prishtinë e vendos një gjë të tillë, nuk më takon mua. Madje kryesia e LVV-së nuk e bënë një përcaktim të tillë. Do të ketë proces të brendshëm në përputhje me statutin”, tha Kurti./E.Zeqiri/KP / DielliNews.info