Presidentët e SHBA dhe Rusisë, Joseph Biden dhe Vladimir Putin, do të takohen më 16 qershor në Gjenevë, konfirmuan sot Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini.
“Në përputhje me marrëveshjen, presidenti rus Vladimir Putin do të takohet me presidentin e SHBA Joseph Biden në Gjenevë, më 16 qershor,” tha Kremlini.
Temat e takimit do të jenë marrëdhëniet dypalëshe midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, stabiliteti strategjik, zgjidhja e konflikteve rajonale dhe një luftë e përbashkët kundër pandemisë së virusit korona.
Detajet e samitit në Gjenevë u dakorduan në një takim të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA Jake Sullivan dhe homologut të tij rus Nikolai Petrushev, transmeton AP.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron marrëdhënie “të qëndrueshme dhe të parashikueshme” me Rusinë.
Në prill, Biden ofroi të takohej personalisht mes tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në fillim të administratës së tij.
Samiti do të jetë në fund të turneut evropian të Biden, ku ai do të marrë pjesë në takimin e G7 në Britani të Madhe, ndër të tjera./KP