​Besim Hasani kandidon edhe për një mandat në krye të KOK-ut

- in Sport

Presidenti i tanishëm i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, do të kandidojë edhe për një mandat në krye të Lëvizjes Olimpike në Kosovë.

Kandidaturën e Hasanit për president e ka dorëzuar sot Federata e Kërlingut e Kosovës, në të cilën është rizgjedhur president në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur javë më parë.

Nën drejtimin e Hasanit, Komiteti Olimpik i Kosovës, më 9 dhjetor 2014, u anëtarësua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, duke thyer izolimin shumëvjeçar të sportit të Kosovës.

Për pozitën e presidentit të KOK-ut kanë kandiduar edhe Linda Shala nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Ismet Krasniqi nga Federata e Atletikës së Kosovës.

Shala është nënkryetare e FBK-së, ndërsa Krasniqi kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës.

Asambleja Zgjedhore do të mbahet më 25 mars 2021, në Hotel Emerald në Prishtinë./KosovaPress