​Berlini hap muzetë për vizitorët

- in Kult

Muzetë në të gjithë Gjermaninë u mbyllën në fillim të nëntorit ndërsa rastet e koronavirusit u rritën, por autoritetet lehtësuan kufizimet në fillim të këtij muaji për të lejuar që disa muze, galeri dhe qendra të tjera kulturore të fillojnë të pranojnë përsëri vizitorë.

Disa qytete, përfshirë Këln, filluan të prisnin vizitorë javën e kaluar dhe tani kryeqyteti Berlin po ndjek shembullin e tyre, raporton AP.

Sipas rregulloreve të reja, muzetë në zona me më pak se 50 infeksione të reja për 100.000 banorë në javë mund të hapen pa kufizime të mëdha, përveç rregullave standarde për mbajtjen e maskave, higjienës dhe distancës.

Kur shkalla e infeksionit është ndërmjet 50 dhe 100, siç është rasti në Berlin, ku aktualisht është 75.1, biletat mund të blihen vetëm në internet dhe në numër të kufizuar.

Nëse numri i të infektuarve rritet mbi 100 për tri ditë me radhë, muzetë duhet të mbyllen përsëri.

Sipas planit të Berlinit, pas blerjes së biletave në internet, vizitorët duhet të regjistrohen kur hyjnë në ndërtesa.

Vetëm një vizitor në 40 metra katrorë lejohet të jetë brenda dhe të gjithë duhet të mbajnë maska dhe t’i përmbahen rregullave standarde të higjienës dhe distancës sociale.

Shkalla e infeksionit kombëtar ishte 83.7 të infektuar në javë për 100.000 banorë dhe rritje e mëtejshme pritet në Berlin, si në pjesën tjetër të Gjermanisë, në mënyrë që muzetë të mbyllen përsëri shpejt./KP