Bashkimi Evropian edhe zyrtarisht ka njoftuar për takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq.
Sipas një njoftimi të BE-së, takimi do të realizohet të martën më 15 qershor në Bruksel, ndërsa pjesëmarrës do të jenë kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe ingarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.
“Të martën, 15 qershor, një takim i nivelit të lartë i Dialogut Beograd-Prishtinë do të zhvillohet në Bruksel. Do të lehtësohet nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, i cili mbështetet nga Përfaqësuesi Special i BE Miroslav Lajčák. Do të marrin pjesë Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fillim të takimit dhe një deklaratë për media nga Përfaqësuesi Special i BE pas përfundimit të takimit (rreth orës 13:00). Deklaratat do të transmetohen në EbS dhe do të ndahen me shkrim në faqen e internetit të EEAS”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Për dialogun gjatë vizitës së fundit në Kosovë kanë folur edhe i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi Mirosllav Lajçak dhe zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Mathew Palmer.
Ata thanë në Prishtinë se BE dhe SHBA mbesin të përkushtuara në dialogun Kosovë-Serbi, me qëllimin final arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Sa i përket qëllimit final të marrëveshjes Kosovë-Serbi, përfaqësuesi i SHBA Mathew Palmer ishte i drejtpërdrejtë.
Sa u përket kompromiseve të mundshme në dialogun Kosovë-Serbi, që do të çonin drejt arritjes së një marrëveshjeje finale, Palmeri tha se për “kompromise u takon palëve që të diskutojnë dhe të vendosin”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka paralajmëruar se takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq nuk do të jetë për dialogun e moçëm, por diskutim për formatin e bisedimeve për të ardhmen./KP