Futbollistët e Barcelonës treguan formë të mirë edhe në ndeshjen e xhiros 28 të La Ligës spanjolle, duke mposhtur skuadrën e Real Sociedadit në udhëtim me rezultat të lartë 6:1.
Pas kësaj fitoreje, Barcelona ka katër pikë më pak se lideri Atletico Madrid (66) dhe deri në fund të sezonit pritet një betejë e ashpër për titullin e kampionit.
Serinë e golave në këtë ndeshje për katalunasit e nisi Antoine Greizmann në minutën 37, për të dyfishuar epërsinë vetëm gjashtë minuta më vonë Sergino Dest, me të cilin rezultat (0:2) përfunduan edhe 45 minutat e parë.
Po i njëjti lojtar, tetë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, shënoi edhe një herë në portën e vendësve duke thelluar epërsinë e Barcelonës në 3:0 dhe se Real Sociedad do të pësonte debakël në këtë ndeshje u pa katër minuta më vonë kur ylli argjentinas Lionel Messi shënoi për 4:0.
Sulmuesi tjetër i Barcelonës Ousmane Dembele në minutën 71 shënoi edhe golin e pestë, ndërsa golin e nderit për Sociedad e shënoi Ander Barrenetxea në minutën 77.
Messi një minutë para përfundimit të kohës së rregullt shënoi edhe golin e tij të dytë në këtë ndeshje dhe të gjashtin për Barcelonën.
Real Sociedad pas kësaj humbjeje mbetet në vendin e pestë në tabelë me 45 pikë./KP