​BALLAFAQOHEN ARSENALI DHE MAN. UNITED, “FITON” MANCHESTER CITY

- in Sport

Java e 21-të e Premier Ligës, ndër shumë ndeshje interesante, solli edhe kryendeshjen ndërmjet Arsenalit dhe Manchester Unitedit në “Emirates Stadium”.

 

Të dy skuadrat po kalojnë nëpër një formë të mirë të rezultateve dhe kështu u treguan të kujdesshme për të mos pësuar humbje.

Në këtë sfidë, nga minuta e parë luajti edhe mesfushori Granit Xhaka i cili pati një paraqitje dinjitoze përballë “Djajve të Kuq”.

Përkundër se u zhvillua një ndeshje e hapur dhe me disa raste të mira shënimi nga të dy skuadrat, në fund rrjetat mbetën të paprekura dhe të dy ekipet morën vetëm nga një pikë.

Ky rezultat më së shumti i ka shkuar për shtati Manchester Cityt të Pep Guardiolas që mbetet lider i tabelës dhe tani ka tri pikë më shumë se skuadra e Solskjaer, kurse Arsenali pas 21 ndeshjeve renditet në vendin e tetë me 31 pikë./RTK