​Avokati i Popullit: Votuesit jashtë vendit kanë kërkuar që të shtyhet afati për pranimin e votave

- in Lajme

Avokati i Popullit ka pranuar ankesa nga qytetarët lidhur me procesin zgjedhor që ka të bëjë me verifikim e aplikacioneve jashtë vendit, vështirësitë për shkarkim të formularëve të fletëvotimeve nga Web faqja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), mospërfshirje të qytetarëve me të drejtë vote në listën e votuesve si dhe mospranimi përmes e-mailit të ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP).

Votuesit jashtë vendit kanë adresuar kërkesë që të shtyhet afati për pranimin e votave të dërguara me postë. Lidhur me këtë Avokati i Popullit i ka bërë thirrje KQZ-së që t’i shqyrtojë këto kërkesa dhe që askush të mos privohet nga e drejta për të votuar.

“Avokati i Popullit bazuar në ankesat që ka pranuar nga qytetarët që ndërlidhen me procesin zgjedhor e që kryesisht kanë të bëjnë me verifikimin e aplikacioneve jashtë vendit, vështirësitë për shkarkim të formularëve të fletëvotimeve nga web faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mos përfshirja e qytetarëve me të drejtë vote në listën e votuesve, si dhe mospranimi përmes emailit të ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Po ashtu, kërkesë e veçantë e votuesve jashtë vendit ka qenë mundësia që të shtyhet afati për pranimin e votave të dërguara me postë. Lidhur me këto ankesa, Avokati i Popullit i bënë thirrje KQZ-së t’i shqyrtojë ato me qëllim që askush të mos privohet nga e drejta për të votuar”, thuhet në komunikatën për media nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Tutje në komunikatë thuhet se, “ Për krejt këto shqetësime e me qëllim të përmbushjes së mandatit kushtetues, Avokati i Popullit është mobilizuar që të monitorojë procesin zgjedhor dhe me këtë rast njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se zyra kryesore dhe ato rajonale do të jenë të hapura në ditën e zgjedhjeve ku do të pranohen ankesat në rast të parregullsive që cenojnë të drejtën e votës së lirë. Zgjedhjet janë të rëndësishme për vendin prandaj është në interes të të gjithëve që këto zgjedhje të jenë të lira e demokratike”./KosovaPress