​Arrestohet një person në Fier, kishte përshtatur lokalin për përdorim droge

- in Shqipëri

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune hetimore dymujore, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë policore, arrestuan në flagrancë shtetasin E. D., 36 vjeç, banues në Fier.

Sipas policisë, arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij në lagjen “29 Nëntori” Fier, të cilin e kishte përshtatur si ambient për përdorimin e lëndëve narkotike, është kapur në kushtet e flagrancës me 1 kg e 140 gram fara kanabisi të cilat do t’i shiste ,me qëllim kultivimin e tyre si dhe 650 gram lëndë narkotike cannabis sativa e bërë gati për t’u ndarë në doza të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

“Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan edhe 1400 qese farmaceutike që shërbenin për paketimin e lëndës narkotike, 1 peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike dhe një automjet. Materialet procedurale për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Nxitja për përdorimin e drogës”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, thuhet në njoftim./KP