Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se çfarëdo veprimi i policisë dhe prokurorisë me qëllim të zbardhjes së veprimeve të dyshimta korruptive në ndërmarrjet publike është i mirëseardhur.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se secili dyshim për kontratë të dëmshme duhet të adresohet dhe përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
“Kosova duhet të ndërmarrë veprime konkrete e serioze në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Vetëm kështu zhvillohet e përparohet vendi. Ne do të jemi në mbështetje të kërkesave të institucioneve të drejtësisë në fuqizimin e kapaciteteve të tyre”, ka thënë Haxhiu.
Katër persona janë arrestuar në dy lokacione në Prishtinë: T.M., A.O., K.M. dhe D.Ç.
T.M. dhe A.O. dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, “Përvetësimi në detyrë” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, personat e arrestuar dyshohet se kanë shkaktuar dëme mbi 300.000 euro Telekomit të Kosovës. Të dyshuarit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhen në ndalim prej 48 orësh.
Postimi i plotë i Albulena Haxhiut:
Çfarëdo veprimi i policisë dhe prokurorisë me qëllim të zbardhjes së veprimeve të dyshimta korruptive në ndërmarrjet publike por jo vetëm, është i mirëseardhur. Secili dyshim për kontratë të dëmshme duhet të adresohet dhe përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
Kosova duhet të ndërmarrë veprime konkrete e serioze në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Vetëm kështu zhvillohet e përparohet vendi. Ne do të jemi në mbështetje të kërkesave të institucioneve të drejtësisë në fuqizimin e kapaciteteve të tyre./KP