​Ahmeti: Pa një zgjidhje përfundimtare për Kosovën as Evropa nuk mund të jetë e qetë

- in Rajoni dhe Bota

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka thënë se Kosovën e presin tema për zgjidhje përfundimtare, përmbyllja e zgjidhjes përfundimtare kërkon edhe guxim, kërkon edhe durim sepse Kosova nuk është problem vetëm i Kosovës por është problem i rajonit, është problem i Evropës.

Ahmeti në akademinë solemne organizuar me rastin e 17 shkurtit Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se pa një zgjidhje përfundimtare as Evropa nuk mund të jetë e qetë, me një rajon me probleme të pambyllura por me mundësi reale për një pakënaqësi rajonale.

“Prandaj do të doja të ftojë të gjithë miqtë e mi në radhë të parë, që unë i njoh në Uashington, Bruksel e të cilët kemi punuar bashkë dhe ky sukses që sot po shënohet në Maqedoni të Veriut është sukses i përbashkët me ata dhe prandaj marr të drejtën morale që t’i ftojë që ata të inkurajojnë vendet e tyre, institucionet e tyre si në Uashington e Bruksel të angazhohen drejtpërsëdrejti për një zgjidhje të pranueshme për palët drejt statusit dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit më të ri në Ballkan, të Republikës së Kosovës dhe këtë vlerësoj dhe jam i bindur që Kosova e meriton.

Fjalimi integral i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti:

Të nderuar vëllezër e motra, i nderuar kryetar i kuvendit të Republikës

së Maqedonisë së Veriut, të nderuar ministra, deputet, kryetar komunash,

të nderuar ambasador të Shqipërisë, këtu dhe në Kosovë, z. Reka dhe z.

Minxhozi, i dashur ambasador i Kosovës z. Dedaj:

Sot jemi mbledhur në shënim të një ngjarje të shumëpritur, të një

ngjarje që e kanë ëndërruar e sakrifikuar gjenerata e breza të tërë. E

ka ëndërruar Hasan Prishtina, e ka ëndërruar Bajram Curri, e ka

ëndërruar Azem Bejta e Shote Galica, e kanë ëndërruar rilindësit

kombëtar Naim Frashëri, Sami Frashëri, Sylë Vokshi e Abdyl Frashëri, e

kanë ëndërruar me qindra e qindra atdhetar, patriot, dijetar, por ne

jemi gjenerata më me fat, që këtë ëndërr e bëmë realitet.

Kjo është festë e përbashkët, edhe ju si ambasador jeni organizator të

këtij evenimenti, është dhe ambasador Fatosi edhe Minxhozi pasi që këto

janë data që nuk mund t’i ndajmë, nuk mund të ndajmë Vlorën, ditën e

ngritjes së flamurit, ditën e flamurit, a festohet në Shkup, a festohet

në Tiranë a festohet në Prishtinë është një.

Pavarësia e Kosovës është një, flamuri shqiptar që valëvitet në Shkupin

e Hasan Prishtinës është një, i pandryshueshëm kështu që fare mos u

shkoj mëndja që ju në vendin tuaj ta keni këtë brengë, kjo është festë

që organizoni ju dhe ne.

Pas vendosjes së regjimit ushtarak në vitin 1945, filluan masakrat,

gjyqet, vrasjet, inskenimet nga regjimi anti shqiptar i drejtuar nga

Rankoviqi, për të materializuar udhëzimet, platformat e Çubrilloviqit

edhe në praktikë, duke i dëbuar shqiptarët gjithandej deri në Anadaoll.

Nuk pushuan së vepruari atdhetar, patriot pavarësisht çmimit që nga

Rifat Berisha, Murat Mehmeti në vitin 1968, me mbi 25 vite burg Adem

Demaçi që nga grilat na mbante shpirtin gjallë që organizimi e

mobilizimi mos të ndalet.

Dalja e Rexhep Malës nga burgu, jo larg nga këtu, në Idrizovë pas sa

vitesh vuajtje e tortura vetëm përshëndetet me familje dhe i përvesh

krahët drejt organizimit të ilegales shqiptare.

Buzëqeshja e Fehmiut është buzëqeshje që i drejtohet Rexhep Malës, “Bac

na prijë”, duke dredhur mustaqet.

Sot po hyjmë në 40 vjetorin e organizimit të protestave e demonstratave

të vitit të 1981. Demonstrata që dridhen themelet e perandorisë

Jugosllave. As tanket e as plumbat që vërshonin mbi kokat tona nuk ka

frikësonin sepse pas kishim një popull dhe komb të tërë pavarësish që

ishte i ndarë apo me sisteme politike të ndyshme. Po në këtë çështje

kombi ishte një, në përkrahje të lëvizjes studentore, të pandalshme deri

në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për hir të kësaj

dite do të them se Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe UÇKPMB kanë një

nenë, kanë një ditë organizimi e themelimi, Ushtrinë Çlirimtare të

Kosovës. Siç e kemi flamurin një edhe ushtritë i kemi pasur një.

Kjo rezistencë gjithnjë e më tepër mobilizohej, forcohej, por ama për ta

vënë përpara sprovës gjithë botën e qytetëruar ishte familja Jashari,

ishte sakrifica e madhe e heroit e komandantit legjendar Adem Jashari

bashkë me të vëllain e tij Hamëz Jashari.

Kthim pas nuk kishte, ja vdekje, ja liri. Andaj përzgjidhja

përfundimtare ishte ëndrra e Rilindjes Kombëtare “O sot o kur” dhe ne

sot po festojmë 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, një moment që nuk

erdhi si dhuratë nga të tjerët por e paguam shtrenjtë me çmimin më të

lartë, me gjakun e rinisë, të atdhetarëve, të dijetarëve të kombit

shqiptar.

Në Kosovë u organizuan zgjedhje, për këto zgjedhje duhet uruar të gjitha

institucionet e Kosovës, që vërtet kanë pasur një jehonë mjaft të mirë

për komunitetin ndërkombëtar por edhe për rajonin Urime fitimtarëve,

urtësi e largpamësi opozitarëve sepse Kosovën e presin tema për zgjidhje

përfundimtare, përmbyllja e zgjidhjes përfundimtare kërkon edhe guxim,

kërkon edhe durim sepse Kosova nuk është problem vetëm i Kosovës por

është problem i rajonit, është problem i Evropës.

Pa një zgjidhje përfundimtare as Evropa nuk mund të jetë e qetë, me një

rajon me probleme të pambyllura por me mundësi reale për një pakënaqësi

rajonale, prandaj do të doja të ftojë të gjithë miqtë e mi në radhë të

parë, që unë i njoh në Uashington, Bruksel e të cilët kemi punuar bashkë

dhe ky sukses që sot po shënohet në Maqedoni të Veriut është sukses i

përbashkët me ata dhe prandaj marr të drejtën morale që t’i ftojë që ata

të inkurajojnë vendet e tyre, institucionet e tyre si në Uashington e

Bruksel të angazhohen drejtpërsëdrejti për një zgjidhje të pranueshme

për palët drejt statusit dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit më të ri

në Ballkan, të Republikës së Kosovës dhe këtë vlerësoj dhe jam i bindur

që Kosova e meriton.

Nuk është rrugë e lehtë, plagë që akoma kullojnë gjak, por ama të

vlerësojmë dhe të mendojmë, a të hapim plagë të reja mbi gjakun që ende

nuk është tharë? Unë e di dha jam i vetëdijshëm që kjo rrugë nuk është e

lehtë për të gjithë ata që mbi shpatulla do ta kenë këtë përgjegjësi.

Mirë ama le ta dijë që ne vëllazërisht do u qëndrojmë në krahë dhe çka

do që të kërkohet nga ne, kjo ndihmë si vëllai-vëllait kur nuk do të

mungojë.

Të nderuar, vëllezër, motra, a mundet edhe më shumë të bëhet? Sigurisht

që mundet. Jo njëherë e kam thënë, për çështjet tona asnjëherë fajin mos

e shohim as tek fqinjët, e as me ata që bashkëjetojmë, por ta shohim tek

vetvetja jonë se sa ne punojmë, sa jetësojmë, sa materializojmë dhe sa i

regjistrojmë kujtimet për ata që rënë, për ata që derdhën gjakun.

Mos t’i kujtojmë ata vetëm kur i shohim fëmijët e tyre që lotët u

shkojnë si krua, që prindërit e tyre nuk i kanë njohur pasi që kanë qenë

të vegjël. Mos i kujtojmë vetëm atëherë kur shohim nënat e baballarët e

tyre që u teren buzët në kujtim të bijave e bijve të tyre të rënë për

këtë ditë, t’i kujtojmë përherë dhe t’i kemi porosi se si do të punojmë,

si do angazhohemi, po fundja e fundit edhe si do e mbyllim kapitullin

tonë jetësor. Fillimi dihet, por mbarimi asnjëherë nuk dihet dhe urojë

që të gjithë të mendojmë me faqe bardhësi kapitujt tonë jetësor t’i

mbyllim.

Me këtë rast dua të uroj gjithë shqiptarët kudo që janë, në Kosovë,

Shqipëri, Maqedoni të Veriut, mal të Zi, Preshevë, kudo shqiptarët që

janë, nga skaji i botës Australia e SHBA-të, gjithë Evropën e Turqinë

për këtë ditë që e kanë pritur gjithë ata të rënë por edhe të gjitha ata

njerëz të vuajtjeve dhe mjerimeve. Urime të gjithë ju nënave e fëmijëve

që dhatë më të shtrenjtën, bijtë e juaj, urime të gjithë ju dhe mirë u

takofshin në përvjetorët e radhës që vijnë.

Me respekt,

Bashkimi Demokratik për Integrim.KosovaPress