Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka uruar Presidenten e re të Republikës të Kosovës, Vjosa Osmanin, duke thënë se pret nga kjo e fundit që të ushtrojë rolin e saj me dinjitet. Teksa shtoi se LDK do të vazhdojë rolin e saj opozitar përball një pushteti pothuajse absolut.
Abdixhiku në një prononcim për media menjëherë pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës të Kosovës u shpreh i kënaqur për siç tha ai, që Kosova përmbylli një proces demokratik, në të cilin LDK pati rolin e saj konstruktiv.
Abdixhiku: Presim që Presidentja të përfaqësoj të gjithë qytetarët e Kosovës
“Shpreh kënaqësinë time që po përmbyllet një proces demokratik, që LDK ashtu siç ishte zotuar tash e sa kohë do të ishte konstruktive dhe do të kontribuojë në respektimin e vullnetit qytetar. Tani kemi një presidente, i urojmë shëndet, dhe shpresojmë që e njëjta do të ushtrojë rolin e saj kushtetues me dinjitet, duke i përfaqësuar të gjithë qytetarët e vendit, duke i konsultuar të gjitha partitë në vend, dhe kështu të lë një shenjë të mirë në 5 vitete e ardhshme”, tha ai.
Ai tha se LDK do të vazhdojë rolin e saj opozitar kundrejt një pushteti pothuajse absolut.
Abdixhiku: Do të vazhdojmë rolin tonë përball një pushteti absolut
“LDK tani e tutje, pas stabilitetit të krijuar në vend, pas dhënies së qetësisë të qytetarët tanë, do të vazhdojë rolin e saj opozitar përball një pushteti pothuajse absolut”, theksoi ai. /N.Jakupi/KP