​Abdixhiku: LDK do të marrë pjesë në votim për presidentin, deputetët të kapërcejnë çfarëdo hidhërimi

- in Lajme

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku theksoi sot se pas një diskutimi të hapur kanë marrë vendim që partia që ai drejton do të marrë pjesë në votim për presidentin e vendit, siç tha ai pa paragjykuar votimin e deputetëve.

Kryetari Abdixhiku pas takimit me grupin parlamentar të partisë së tij theksoi se ky është vendimi i Kryesisë së partisë dhe këtë vendim ua komunikuar deputetëve.

Abdixhiku: LDK do të marrë pjesë në votim për presidentin e vendit

 

“Pas një diskutimi të hapur, shterës me argumente e gjithëpërfshirës, të gjithë bashkërisht kemi marrë vendim që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit, që LDK si gjithherë do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues dhe të marrë pjesë në votim për presidentin e vendit, pa paragjykuar votimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ky pra është vendim i Kryesisë i votuar me shumicë absolute të anëtarëve të saj. Këtë vendim ua kam komunikuar sot deputetëve të LDK-së. Pres që secili deputet të respektojë vullnetin kolektiv të shumicës , që secili deputet të mos pengoj kursin e ri të LDK-së. pres nga secili deputet të sillen si institucionalisht dhe të kapërcejnë vetën dhe çfarëdo hidhërimi që mund të kenë”, thekson Abdixhiku.

Abdixhiku tha po ashtu se presin që presidenti i vendit të jetë president i të gjithëve dhe jo partiak.

Derisa u shpreh i rezervuar për tre deputetët e partisë së tij, Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj që pritet të mos marrin pjesë në seancën kur do të votohet presidenti në kuvend.

Abdixhiku: Mos t’i personalizoni gjërat në emra individual, kemi diskutim diskutime në vazhdimësi

 

“Ju kisha lut të keni mirëkuptim dhe mos t’i personalizoni gjërat në emra individual, kemi diskutim, kemi diskutime në vazhdimësi. Unë pres që secili deputet i LDK-së të vendos, të respektoj vendimin e krysisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Çka ndodhë nëse nuk respektohet vendimi? Nuk komentoj situata hipotetike. Shumica në tërësi ka mbështetur vendimin e kryesisë dhe kryesia në tërësi ka mbështetur propozimin tim… Ajo çfarë ne kemi dashur të bëjmë është të marrim garanca që presidenti i ardhshëm president i të gjithëve jo i një partie politike dhe kështu pushteti të mos i kaloj në nënshtrim të një partie politike”, theksoi ai.

Ai më tej tha se vendimi i Kryesisë së LDK dhe i tij është që fillimisht vendit t’i jepet një proces normal parlamentar, dhe siç theksoi rikthimi i LDK-së është domosdoshmëri.

Abdixhiku: Rikthimi ynë është domosdoshmëri dhe kërkon unitet

 

“Vendimi i kryesisë së LDK-së dhe imi si kryetar i saj synon që Kosovës fillimisht t’i jap një proces normal parlamentar ku vetëm me votë dhe me asnjë mjet tjetër politik merret secili vendim me interes nacional për përfshirë edhe këtë për president. Rikthimi ynë është domosdoshmëri, njëkohësisht është i pa shmangshëm, por ky rikthim kërkon durim, kërkon vendime politike të guximshme e jo të inatit, mbi të gjitha rikthimi ynë kërkon unitet. Këtë unitet e kërkoj sot nga selia e LDK-së prej të gjithë anëtarëve e mbështetësve tanë nëpër Kosovë. Jemi në rekordet më ulëta historike”, theksoi ai.

Në fund kreu i LDK-së theksoi se kjo parti është konstruktive dhe vendos për interesin e vendit. /I. Shabani/KP